Historia, si trafikoheshin kurbetçinjtë e dikurshëm

Aktualitet mbi diasporen shqiptare ne mbare boten.

Historia, si trafikoheshin kurbetçinjtë e dikurshëm

Postby albo on 19 Aug 2008 02:02

Historia, si trafikoheshin kurbetçinjtë e dikurshëm

Image
Shqiptarët, jashtë. Në fillim si ushtarë, nizamë e komandantë të fushatave ushtarake osmane. Me rënien e kësaj perandorie, shthurjen e rendit feudal dhe vendosjen e marrëdhënieve kapitaliste ata s'shkonin më drejt Orientit si ushtarë, por si punëtorë mëditës. Stambolli, Edreneneja, Egjipti e Selaniku, "eldoradot" e para të emigrimit. Kolonitë shqiptare të Sofjes dhe Bukureshtit dhe Egjiptit. Fluksi më i madh i lëvizjeve për në vendet perëndimore në çerekshekullin e parë të shekullit të 20-të. Vendet ku shkonin dhe rrugët e mundimshme që përshkonin kurbetçinjtë e parë. Fenomeni i kontrabandës së qenieve njerëzore dhe rrjetet e trafikut brenda dhe jashtë vendit. Gazeta "Tirana Observer" boton sot historinë e emigrimit të shqiptarëve rrugët që ata ndiqnin dhe pagesat që bënin dhe sa kohë duhet të punonin për të larë borxhet. Shfrytëzimi i egër, pasiguria dhe kushtet e vështira në minierat e Francës, në rrugët e Stambollit dhe Selanikut, por edhe Amerika dhe Australia më vonë s'qenë më të mirat. Pse shumë kurbetçinj të dëshpëruar i futeshin alkoolit e bixhozit. Këmbë shqiptari jashtë për 50 vjet të regjimit komunist. Hapja e Shqipërisë, eksodi i madh dhe shembja e mitit të mërgimit. Rrugët legale dhe ilegale të emigracionit të sotëm.

Emigrimet e para
Janë të njohura lëvizjet e shqiptarëve në shekuj, ngulimet dhe eksodet e tyre të mëdha në mesjetë në Greqi, në brigjet e Italisë jugore dhe vise të tjera të Ballkanit, por krahas këtyre, shqiptarët janë parë në lëvizje më të vogla e të përkohshme në Venetik, Spanjë e brigjet e Danubit për tregti, në perandorinë osmane si nizamë, ushtarë mercenarë, ndërtues, por edhe punonjës në administratën e lartë. Le të kujtojmë këtu Qyprilinjtë dhe shumë vezirë e gjeneralë të lartë të shquar të perandorisë me origjinë shqiptare, kryearkitektët e famshëm, Arkitekt Sinani dhe arkitekt Kasëmi, veprat e të cilëve ruajnë shkëlqimin e dhe sot në Stamboll, më pas rilindësit tanë të shquar etj. Por për emigracion të mirëfilltë mund të flitet aty nga mesi i shekullit të 19-të, kur zhdukja e ushtrive mercenare liroi shumë krahë pune, kur filluan të shthureshin marrëdhëniet feudale dhe shumë fshatarë të mbetur pa tokë, të mbytur në borxhe filluan të shisnin krahun e tyre të punës, fillimisht si argatë me mëditje në punë sezonale, si ustallarë në gjithë Ballkanin, Thraki, Stamboll, por edhe në krahina të tjera të vendit. Më pas mërgimet u bënë më të shpeshta sidomos nga krahinat e Korçës, Përmetit dhe Gjirokastrës. Në fund të shekullit të 19-të në Stamboll kishte mbi 60.000 shqiptarë të mërguar, kryesisht fshatarë, ndërsa qytetarët iu drejtuan Rumanisë (10 000), Sofjes (8 000), Egjiptit (30 000). Vitit 1885 çel një rrugë të re për shqiptarët, fillon një valë e madhe emigracioni për në SHBA dhe në një masë më të vogël, në Argjentinë. Emigrimi në atë kohë u bë një plagë shoqërore. "Në Korçë nuk ka mbetur asnjë djalë, vetëm gra e tregtarë pleq shikon njeriu udhëve", shkruan një gazetë e kohës. Një vend në Korçë rrëzë kodrave të Shëndëllisë në të dalë të qytetit, atje ku përcilleshin kurbetçinjtë me familjarët mori emrin "Lëndina e lotëve". Kjo tragjedi përshkruhej në këngët e popullit, por ishte edhe një nga temat më të lëvruara të shtypit dhe letërsisë së asaj kohe. Janë të kësaj kohe këngët e famshme të kurbetit që i këndon me aq ndjenjë e kolorit Eli Fra si, "Zunë yjtë e po rrallojnë, zunë kurbetlinjtë e shkojnë", Qeraxhiu i Grebenesë" etj.
Por jeta dhe puna e të mërguarve nuk ishte aspak e lehtë. Në SHBA ata punonin në punë të rënda të pakualifikuara krahu nëpër fabrika, ferma bujqësore, në punë botore, ndërtim etj., ndërsa për të fjetur, që të kursenin flinin nëpër baraka, hanin e visheshin keq, atje ku hanin edhe flinin. Paga ishte sa 1/20 e pagës së një punëtori anglo-sankson. Por në kushte tepër të vështira dhe të pa siguruar punonin emigrantët në Francë, të cilët shkuan aty në çerekshekullin e parë të shek. të 20-të. Ata punonin në minierat e San Etien, flinin 20-30 veta në një kapanon në kondita higjienike mizerable. Shumë prej tyre nga që punon nën tokë dhe jetonin keq u sëmurën nga tuberkulozi. Megjithëse ishin të pa siguruar dhe s'gëzonin asnjë të drejtë, pasi s'ishte asnjë konventë me Shqipërinë, paga e tyre cungohej nga katër taksa nga të cilat punëtorët nuk përfitonin asgjë. Të dëshpëruar ata fillonin të pinin alkool dhe të loznin kumar. Një pjesë e madhe niseshin në këmbë nga Franca për t'u kthyer në Shqipëri, por sa kalonin në kufirin italian i kthenin përsëri në Francë.
E keqja tjetër në të gjitha shtetet ku punonin emigrantët, qoftë edhe në atë të Amerikës, ishte se punëtorët shqiptarë mbetën të pakualifikuar, pjatalarës, fshesarë, druvarë, kasapë, bahçevanë, kalldrëmxhinj etj.

Megjithatë, duke parë gjithë atë zhvillim dhe duke e krahasuar atë me jetesën në Shqipëri, u bënë më të civilizuar, sollën në vendlindje shumë elemente qytetarie dhe përparimi. Kurbeti lozi një rol të madh jo vetëm civilizues shoqëror, por edhe politik për zgjimin e ndërgjegjes politike kombëtare, pasi shumë nga këta kurbetçinj u vunë në krye të lëvizjeve popullore, lëvizjes për arsim etj. Shumë fshatra në Jug që kishin më shumë kurbetçinj ndryshuan pamjen me shtëpi të reja dy-trekatëshe, me rrugë të shtruara, por edhe me një mënyrë të re jetese, çka është e dukshme edhe sot po të shkosh në këto fshatra.
Pagesat për të emigruar
Veç sa thamë më sipër për gjeografinë e emigrimit shqiptar të fundshekullit të 19-të - fillimshekullit të 20-të, një kalvar i vërtetë ishte rruga që bënin emigrantët, por jo vetëm rruga fizike, që me mjetet e transportit të asaj kohe ishte një stërmundim i vërtetë, por për pagesat e larta që u merrnin fajdexhinjtë dhe marifetçintë trafikantë këtyre
qenieve njerëzore. Edhe atëherë si tani lulëzoi një trafik i pa parë dhe pamëshirshëm i klandestinëve. Në mungesën e një shteti (Turqia ishte në agoni dhe periudha e Luftës së Parë Botërore tek ne krijoi një rrëmujë të varetë) trafikantë shqiptarë të lidhur edhe me të huaj rripnin pa mëshirë fakir fukarenjtë shqiptarë, të cilët për të siguruar këto të holla duhet të linin peng atë copë tokë që kishin ose shtëpinë ku banonin. Rrallë herë ngjiste që të shlyhej huaja e rënduar me kamatë. Në disa qytete si në Korçë dhe Gjirokastër tregtarët krijuan agjenci të posaçme për të përcjellë njerëz në mërgim. Ata spekulonin me mënyrat më të ulëta e më të poshtra me nevojtarët që nga e keqja braktisnin atdheun. Në një studim të autorit Kristaq Misha për lëvizjen punëtore në Shqipëri jepen shembuj rrënqethës të këtij fenomeni të marra nga shtypi i kohës. Gazeta "Kombi" e Bostonit majit 1907, shkruan "Ca tregtarë të Korçës si Vëllazëria Turtulli, Aleks Fundoja etj. rrjepin botën me këtë rast. Dy veta nga Devolli më thanë këtë gjë të çuditshme; Si dëgjuan të gjorët që në Amerikë "i mbledhin të hollat me lopatë" u nisën këtu. Po u lipsen të holla, venë në Vëllezërit Turtulli dhe vënë peng mallin. Për një biletë nga Patra (Greqi) që kushton 200 franga, dmth, 8 lira turke, që u dhanë në dorë, u vunë peng gjithë mallin për 34 lira të Turqisë. Duhet të punojnë më shumë se 6 muaj të gjorët që të mund të lirojë mallin e tyre të marrë peng". Gazeta "Drita" e Sofjes shkruante herë pas here për këto skandale. Ja si shkruan ajo në numrin e 90-të të vitit 1907: "Liçi Fundoja në Korçë merr 30 lira për navllon prej 11 lira. Kështu ka marrë më qafë shumë shqiptarë, pa mos u dhënë në dorë asnjë para, hoqnë një mijë të këqija udhës, aq sa deshën të hidheshin e të mbyteshin në det, dhe kur dolën këtu flinin në rrugë, meqenëse nuk kishin ndonjë të njohur, s'dinin as gjuhë as të mësuar të hapnin dorën e të lypnin".
Qeveritë e kohës sido të dobëta, por më vonë edhe qeveria e Zogut që e mbante veten si qeveri e vërtetë, jo vetëm s’e ndihmonin këtë shtesë të mërguarish që shkonte jashtë për bukën e gojës, por nuk e shikonin as me sy të mirë. Legata dhe konsullatat jashtë njoftonin se shqiptarët e mërguar binin në kontakt me elementë shqiptarë demokratë e revolucionarë dhe shpreheshin hapur kundër regjimit. Ky ishte shkaku që kufizohej dhënia e pasaportave dhe leje qëndrimeve. Nga mijëra të mërguar nga Korça në vitin 1928 vetëm 1500 veta u pajisën me pasaporta për në SHBA, Australi dhe Argjentinë, po kështu u dhanë pak pasaporta për në Francë e Greqi nga rrethe të tjera si nga Përmeti, Skrapari, Tepelena e Gjirokastra. Mirëpo të shtrënguara nga nevoja njerëzit filluan të mërgonin fshehurazi nëpërmjet Greqisë ose nëpërmjet anijeve të mallrave nga Durrësi. Skandalet për trafikimin e emigrantëve ndiqnin njëri- tjetrin.




Në vitin 1929 disa shoqëri kapitaliste franceze, pronare minierash në Sant Etien, dërguan dy agjentë shqiptarë për të grumbulluar fuqi punëtore me çmim të ulët. Ata grumbulluan mbi 100 punëtorë, të cilët për "nderin" që u bënin mashtruesit merrnin nga secili 160 franga ari. Por kur shkuan në port ata u kërkuan edhe nga 40 franga për agjentin konsullor të Francës "për t'i rregulluar pa problem". Pas këtyre agjentëve filluan rrjete të tjerë rrjete trafikantësh si në Himarë, Përmet, Gjirokastër, Durrës etj. që nisën kontingjente të tërë punëtorësh, sidomos në Francë. Shtypi asaj kohe zbuloi se këto rrjete ishin lidhur me drejtorët e minierave dhe administratën franceze, të cilët i shfrytëzonin punëtorët si skllevër të vërtetë. Ata nuk paguheshin me mëditjen e caktuar apo të krahasuar me punëtorët francezë apo të kombësive të tjera, por me një pagë minimale. Pronari për të mos lëvizur u mbante pasaportat dhe i detyronte me anë të një kontrate të detyrueshme të punonin për të shlyer shpenzimet e navllos (udhëtimit, anijes). Në këtë kontrabandë njerëzish kishte gisht edhe prefekti i Luarës, i cili për punëtorët pa pasaportë merrte një shumë të caktuar që ia jepte pronari nga rroga e punëtorëve. Por kishte raste që gjendej një shkak dhe punëtorët përziheshin nga puna pa iu kthyer detyrimet që u kishte pronari brenda.
Një tjetër kurbet i gjuajtur nga kontrabandistët ishte Australia, ku do të paguaje një shumë të majme. Ja si shkruan gazeta "Telegraf e 13 marsit të vitit 1927 për një kontingjent punëtorësh që paguan dhe nuk shkuan dot në Australi: "Mijëra u derdhë, lanë mall e katandi dhe shpenzuan mbi një milion franga ari kot për udhëtim".
Po këto veprime mashtruese bëheshin nga agjencitë për udhëtimet në Amerikë, ku shumë shqiptarë i dërgonin me dokumente false. Autoritetet vendore kur i kapnin i nisnin përsëri për në Shqipëri. Merret me mend se ç'ishte të ktheheshe pa para përsëri dhe ç'do të hiqje. Shumë nga këta që nuk përballuan kthimin shkuan në Amerikën Latine, ku shumë prej tyre vdiqën në zonat tropikale apo humbën pa u lidhur dot me familjet.
Djemtë shqiptarë që edhe sot kaptojnë Gramozin e i bien më këmbë pash më pash Greqisë, apo ata që kanë ikur me gomone, a fshehurazi në maune mallrash, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse këndojnë një këngë të kënduar më parë nga gjyshërit e tyre. Por edhe kur vjen puna për të paguar, paguajnë e mashtrohen sikurse edhe gjyshërit e tyre. Mjerisht kjo është një e vërtet e hidhur. Mirë atëherë që s'kishte shtet, po sot?!

Shembja e një miti
Për 50 vjet me radhë të sundimit i regjimit komunist Shqipëria e mbyllur në guackën e saj "si i vetmi vend socialist në botë" nuk e njohu emigracionin e jashtëm. Dhe as bëhej fjalë të ishte në strategjinë e tij një gjë e tillë. Kurbeti kishte mbetur vetëm në folklor, si një plagë shoqërore historike. Emigrimi konsiderohej si një akt tradhtie i dënueshëm me vdekje ose burgim pa afat. Aparati represiv i regjimit ideologjik Marksist-Leninist të Enver Hoxhës kontrollonte nga afër të gjitha aspektet e jetës shqiptare, duke bindur shtetasit e këtij vendi, që ata jetonin në një parajsë komuniste. Fatkeqësisht për regjimin, shumë shqiptare gjatë viteve të fundit të komunizmit, patën mundësi të shikonin një parajsë tjetër alternative, gjatë ndjekjes fshehurazi të televizionit italian.
Në vitin 1990, kur Shqipëria si "guri i fundit i dominosë" ende s'po lëvizte, ndërkohë që shumë vende të Evropës lindore kishin nisur rrugën e demokracisë, duke shembur regjimin regjimet e vjetra, rreth 5.000 shqiptarë kërkuan azil në ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë. Eventualisht, ata u lejuan të shkojnë në perëndim. Në total, nga "pushtimi i ambasadave" deri në fillim të vitit 1991 lanë vendin rreth 20.000 shqiptarë. Por më i madh eksodi qe në muajt mars dhe gusht 1991. 25.000 emigrantët e marsit me aniet që u mbushën plot zbarkuan dhe fituan statusin e refugjatit në Itali, por s'patën këtë fat 20.000 emigrantët e gushtit, të cilët në shumicën e rasteve u riatdhesuan. Po kështu i madh që emigrimi drejt Greqisë.
Kronologjia e emigrimit të shqiptarëve ndryshoi vit pas viti, por ai u bë më i shpeshtë përsëri pas ngjarjeve të '97-ës, i shoqëruar me një nga tragjeditë më të dhimbshme, të njohur me emrin "Tragjedia e Otrantos", ajo e "9 janarit" dhe shumë e shumë aksidente të rënda të pa regjistruara me gomone.
Në mungesën e një statistike të saktë si në vendin tonë, por edhe në vendet pritëse, ku ka shumë emigrantë të pa legalizuar mendohet se 1/3 popullsisë ose 1 000 000 shqiptarë janë jashtë.
User avatar
albo
Site Admin
Site Admin
 
Posts: 44
Joined: 18 Aug 2008 04:14
Country: Albania (al)
Karma: 1


Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 0 guests